NDIHMA E PARË
Qëllimi i këtij kapitulli është që t’u ofroj lexuesve njohuri elementare dhe aftësi të nevojshme për të dhënë ndihmën e parë, të përgjigjen në raste emergjente të rrezikut për jetë, derisa të arrijë ndihma profesionale mjekësore. Ky kapitull, nuk ka të bëj me përcaktimin e sëmundjes apo lëndimit, por me kujdesin ndaj shenjave themelore të jetës (frymëmarrja dhe puna e zemrës), si dhe parandalimin e rreziqeve që drejtpërdrejt kanosen me ndërprerjen e këtyre funksioneve (gjakderdhja, alergjitë, thyerja e eshtrave, djegia, etj.)
Emergjenca shëndetësore (mjekësore) nënkupton sëmundjen apo lëndimin që kërcënon drejtpërdrejt jetën apo shëndetin afatgjatë të personit. Këto gjendje, shpesh kërkojnë ndihmën e një personi tjetër, që shpeshherë, mund të jetë një person i cili nuk ka përgatitje profesionale mjekësore. Varësisht nga gjendja, trajtimi mund të zgjatet në disa faza: 1) ndihma e parë, 2) trajtimi fillestar mjekësor, 3) trajtimi specialistik mjekësor. Qytetarët e rëndomtë (që nuk kanë përgatitje profesionale mjekësore), duke përfshirë edhe punëtorët e sigurimit, mund të ushtrojnë vetëm ndihmën e parë dhe vetëm deri sa të arrij ndihma profesionale mjekësore.
Ndihma e parë nënkupton ushtrimin e kujdesit të kufizuar në rast të sëmundjes apo lëndimit, që zakonisht kryhet nga persona jo-mjekësor, deri në ardhjen e ndihmës përkatëse mjekësore apo deri në përfundim të trajtimit (sepse jo të gjitha gjendjet kërkojnë trajtim profesional mjekësor). Në parim, ndihma e parë përbëhet nga veprime të thjeshta mjekësore (por që mund të shpëtojnë jetën), e të cilat, çdo person, pavarësisht nëse është i profesionit mjekësor apo jo, mund të trajnohet t’i kryej me duar apo me ndihmën e pajisjeve të thjeshta doracake.
Qëllimet kryesore të ndihmës së parë janë: 1) ruajtja e jetës, 2) parandalimi i lëndimit të mëtutjeshëm dhe 3) nxitja e shërimit.
HAPAT E AKSIONIT NË RAST URGJENT
1. Kontrollo vendin e ngjarjes.
– A është sigurt?
– Çka ka ndodhur?
– Sa vetë janë lënduar?
– A mund dikush tjetër të ju ndihmoj?
2. Kontrolloje të lënduarin
– Mos e lëviz të lënduarin, përpos nëse qëndrimi në atë vend paraqet rrezik të drejtpërdrejt për jetën e tij
3. Përsërite thirrjen për ndihmë
4. Kujdesu për të lënduarin
Së pari, kujdesu për: vetëdijen, frymëmarrjen, pulsin, gjakderdhjet dhe/apo thyerjet
LËVIZJA E TË LËNDUARIT:
Lëvizja e të lënduarit në rastet emergjente mund të bëhet në shumë mënyra. Megjithatë, duhet mbajtur në mend se në parim, të lënduarit duhet t’i jepet ndihma e parë, në vendin ku ka ndodhur aksidenti, pa e lëvizur. I lënduari duhet të lëvizet vetëm nëse rreziku i qëndrimit në vendin e ngjarjes është më i lartë se rreziku i lëvizjes (p.sh. kur i lënduari gjendet në një hapësirë e cila është e kapluar nga zjarri), ose, pasi t’i jetë dhënë ndihma e parë dhe gjendja e tij të jetë stabilizuar (i lënduari është me vetëdije dhe i aftë për të lëvizur). Metodat e lëvizjes së të lënduarit varen nga kushtet në vendin e ngjarjes, si dhe natyrës së lëndimit.
Disa metoda të lëvizjes së të lënduarit:
– Ndihma duke ecur,
– Bartja në shpinë,
– Bartja ulur nga dy persona,
– Tërheqja zvarrë,
Për të bërë kontrollin e të lënduarit, kur jeta e tij është në rrezik, duhet
– Të siguroni vendin e ngjarjes,
– Kontrolloni a ka vetëdije duke e prekur dhe pyetur “a jeni mirë”,
Nëse nuk përgjigjet, kontrollo shenjat themelore të jetës (sistemi ABC)
Nëse ekziston dyshimi për lëndime të kurrizit apo qafës, personi nuk guxon të lëvizet nga vendi për të kryer kontrollin e shenjave të jetës.
– Nëse i lënduari merr frymë por nuk përgjigjet, vendose në pozitën stabile,
– Nëse i lënduari nuk merr frymë ose nuk ndjeni frymëmarrje, vendoseni në shpinë duke përkrahur kokën dhe qafën e tij.
KONTROLLIMI PËR SHENJAT THEMELORE TË JETËS (SISTEMI ABC):
A Ajri: duhet kontrolluar rrugët e frymëmarrjes (hundën, gojën, gjuhën, fytin), për të vërtetuar nëse ka pengesa për qarkullimin e ajrit. Nëse hasen pengesa, ato duhet të largohen menjëherë për të liruar rrugën e frymëmarrjes.
B Buzët: nëse rrugët e frymëmarrjes janë pa pengesa, me shikim (sy), dëgjim (vesh) dhe prekje (lëkurë), gjatë 5 sekondave, kontrollojmë nëse personi merr frymë apo jo. Nëse personi nuk merr frymë, duhet t’i ngrihet mjekra lart, me qëllim të hapjes së gabzherrit, t’i mbyllet hunda dhe pastaj, i jepet frymëmarrje artificiale me dy (2) “fryrje” BUZË MË BUZË (gojë më gojë).
C Cirkulacioni: kontrollohet qarkullimi (cirkulacioni) i gjakut, duke prekur pulsin në vendet ku enët e mëdha të gjakut (arteriet) janë afër lëkurës: në qafë, në sqetull, në bërryl, në kofshë, etj. Nëse vërtetohet se personi nuk ka puls, ai nuk do të jetë as duke marrë frymë. Në këtë situatë, atëherë fillohet procedura e “REANIMIMIT KARDIO-PULMONAR”
REANIMIMI KARDIO-PULMONAR
RKP mund të kryhet nga një apo dy persona. Për të filluar procedurën e RKP, duhet së pari të merret pozitë e përshtatshme për realizimin e procedurës dhe të gjendet pika ku duhet të shtypet për masazhin e zemrës.
Nëse janë dy persona, njëri do të vendoset afër kokës, kurse tjetëri, në anën tjetër të të lënduarit, në mes të barkut dhe gjoksit. Për të gjetur pikën për shtypje, së pari duhet të gjendet harku i brinjëve. Me gishta përcillet harku deri në pikën ku takohet me harkun tjetër. Me dorën që gjendet në anën e këmbëve të të lënduarit, maten dy gishta nga pikëtakimi i dy harqeve dhe aty vendoset dora tjetër. Pastaj, dora e parë, vendoset mbi të, duke i lidhur gishtat. Për të shtypur gjoksin, personi që bën “masazhin”, duhet të ngrihet në gjunjë, në mënyrë që duart e lidhura, të jenë pingul mbi gjoksin e të lënduarit. Në vend se të shtypë me duar, personi që kryen masazhin, shtypjen do ta bëjë me peshën e trupit të vetë. Duke bërë lëvizje nga ijet, do të peshoj mbi trupin e të lënduarit, duke shtypur gjoksin rreth 5 cm dhe pastaj do të ngrihet lartë në pozitën fillestare. Pasi të ketë bërë 15 shtypje të tilla, do të bëjë dy fryrje buzë-më-buzë (gojë-më-gojë).
Nëse janë dy persona që ndihmojnë, atëherë njëri do të bëjë shtypjet (masazhin), kurse tjetri do të bëjë frymëmarrjen “artificiale”. Në rastet kur janë dy “shpëtues”, procedura mund të zhvillohet edhe në formën: pesë shtypje mbi zemër, një fryrje në gojë (5:1).
Shtypjet duhet të bëhen me shpejtësi prej rreth 100 shtypje në minutë (gjegjësisht, rreth 3 shtypje në 2 sekonda). Pas përfundimit të një procedure prej 15 shtypjeve (ose tri procedurave prej 5 shtypjeve), duhet të kontrollohet pulsi. Procedura përsëritet deri sa të arrihet pulsi, ose deri sa të arrij ndihma profesionale mjekësore.
Tek fëmijët deri 8 vjeç, shtypja bëhet vetëm me një dorë rreth 3 cm thellë, kurse tek foshnjat, shtypja bëhet vetëm me dy gishta, rreth 2 cm thellë. Në të dy rastet, pas çdo pesë (5) shtypjeve, bëhet nga një fryrje gojë-më-gojë (tek fëmijët e vegjël, apo foshnjat, mbulohen goja dhe hunda).
DHËNIA E NDIHMËS SË PARË NË RAST TË PLAGËVE TË LEHTA:
– Duhet larguar rrobat përreth plagës,
– Pastroje plagën me sapun dhe ujë,
– Vendose fashën sterile mbi plagë,
– Bën shtypje direkte për disa minuta në mënyrë që të ndalët gjakderdhja.
– Kur gjakderdhja është nën kontrollë mund të bëni fashimin me mjete sterile,
– Pastroji duart pasi të jepni ndihmën e parë.
DHËNIA E NDIHMËS SË PARË NË RAST TË GJAKDERDHJES SË RËNDË:
– Bëjë shtypje direkte duke përdorur fashë sterile ose ndonjë rrobe të pastër,
– Ngrite pjesën e trupit lartë, ashtu që nuk shkakton dhimbje,
– Nese nuk mund ta ndalosh gjakderdhjen, bëj shtypje në pikat shtypëse,
– Kërko ndihmë mjekësore profesionale,
– Kontrollo mos ka gjendje shoku,
– Pastro duart pas dhënjes së ndihmës së parë.
