PASTRIMI DHE DEPONIMI I PUSHKËS
PASTRIMI I PUSHKËS
Është detyrë e çdo gjahtari, që të sigurohet se pushka e tij është në gjendje të rregullt, para se të fillojnë gjahun. Kujdesi dhe pastrimi i armës, jo vetëm se rrisin saktësinë e qitjes, por gjithashtu, sigurojnë që mekanizmi i shkrepjes si dhe siguresat, të funksionojnë në mënyrë të rregullt. Të shohim si pastrohet dhe si deponohet pushka në shtëpi.
Gjatë pastrimit, gjithherë zbatoni rregullat e sigurisë:
• Grykën mbaje në drejtim të sigurt.
• Kujdesuni se pushka është e zbrazur.
• Pastroje tavolinën e punës nga çfarëdo artikulli që nuk u nevojitet për pastrim.
• Largoje municionin në një vend tjetër.
• Kujdesuni që hapësira e punës të jetë e ndriçuar dhe ventiluar mirë.
• Vendosni mbrojtëse për veshë dhe sy.
MATERIALET QË PËRDOREN PËR PASTRIMIN E ARMËS
Armën duhet pastruar nga ana e mekanizmit të shkrepjes drejt grykës, nëse është e mundur. Në këtë mënyrë, mbetjet e yndyrës dhe tretësirës për pastrim, do të rrjedhin nga gryka dhe do të parandalohet dëmtimi i kurorës së grykës. Zbërtheje armën sipas udhëzimeve të prodhuesit.
GJASHTË HAPAT E LEHTË PËR PASTRIMIN E PUSHKËS
Hapi 1.
Pasi të kesh vendosur dorëzat dhe mbrojtëset për sy, çmontoje armën (hiqe mekanizmin e shkrepjes) sipas udhëzimeve të prodhuesit për të hapur rrugën për pastrim. Brushën e cila është e madhësisë (trashësisë) së njëjtë me kalibrin apo gejxhat e tytës së pushkës, përforcoje në shkopin pastrues. Hidh një sasi të vogël të tretësirës për pastrim, në një enë të vogël dhe zhyte brushën në tretësirë. Mos e zhyt brushën në kontejnerin e tretësirës pastruese, sepse kështu e ndotë tërë kontejnerin me tretësirë.
Hapi 2.
Vendos shkopin pastrues me brushë brenda tytës së pushkës dhe shtyje brushën në drejtim të grykës së pushkës, në tërë gjatësinë e tytës, deri sa brusha të dal përtej grykës.
Hapi 3.
Hiq brushën pastruese nga shkopi pastrues dhe në vend të saj, vendos shufrën me vrimë. Në vrimë, vendose një leckë të pastër dhe shtyje leckën në drejtim të grykës së pushkës, në tërë gjatësinë e tytës, deri sa lecka të dal përtej grykës. Pastaj, me dritën e tytës, inspekto brendinë e tytës dhe mekanizmin e shkrepjes. Nëse vëren mbeturina apo papastërti, përdor leckë tjetër të pastër, deri sa e tërë tyta dhe mekanizmi i shkrepjes të jenë tërësisht të pastër.
Hapi 4.
Vendos një leckë të pastër, të vajosur mirë, në shufrën me vrimë, për mbajtjen e leckave. Shtyje leckën në drejtim të grykës së pushkës, në tërë gjatësinë e tytës, deri sa lecka të dal përtej grykës. Vaji do të parandaloj ndryshkun brenda tytës. Tyta e armës tani është e pastër!
Hapi 5.
Përdore brushën prej bakri dhe pastroje shulin në të gjitha anët dhe kahet, shtratin e shulit, si dhe folenë e fishekut. Pastroje shulin dhe mekanizmin e shkrepjes me leckë dhe vendos një shtresë vaji.
Hapi 6.
Pastroje tërë pushkën me një leckë me pak vaj, për ta pastruar dhe mbrojtur sipërfaqen e jashtme të pushkës.
MËNYRAT ALTERNATIVE PËR PASTRIM TË PUSHKËS
Nëse pushka ka tyta ndërruese, tyta duhet të hiqet dhe të pastrohet siç u përshkrua më parë. Nëse pushka nuk mund të pastrohet nga foleja (si p.sh pushka me mekanizëm me menteshë), atëherë, pastrimi duhet të bëhet nga tyta. Në këtë rast, një leckë e pastër duhet të vendoset në hapësirën e mekanizmit të shkrepjes, në mënyrë që papastërtia të mos kaloj në këmbëz dhe mekanizmat e sigurisë.
RIPARIMI PROFESIONAL TEK ARMËTARI
Gjatë pastrimit të pushkës, kontrolloni armën për të vërejtur ndonjë vidë, apo bulon të çliruar, apo çfarëdo shenjë dëmtimi. Nëse arma është dëmtuar, apo nuk funksionon si duhet, dërgoje atë tek armëtari për inspektim dhe riparim.
DEPONIMI I ARMËS
Nëse keni pushkë në shtëpi, mbroni familjen dhe miqtë tuaj, duke u kujdesur që arma dhe municioni të jenë të deponuara në mënyrë ligjore dhe të sigurt. Sefi i armës është një mini-version i sefit bankar – disa janë edhe zjarrdurues. Kjo është zgjidhje më e mirë për deponimin e armës. Në këtë mënyrë, arma jo vetëm sigurohet kundër vjedhjes, por, edhe kundër duarve të personave të paautorizuar, apo fëmijët. Në këtë mënyrë, armët janë të sigurta edhe në rast të tentimit të vjedhjes në shtëpi – nëse pushka bie në duar të gabuara, ju do të jeni përgjegjës!
Të gjitha armët, duhet të deponohen në një vend të vetëm, të sigurt. Municioni duhet të deponohet ndaras, por prapëseprapë, në vend të sigurt.
