Close
Shaqir Ingrishta, Prishtina 10000 Prishtinë Kosovë
048 211 248
Open hours: E Hënë – E Diel | 09:00 – 22:00

LIGJI PËR ARMËT DHE VEPRAT PENALE ME ARMË TË ZJARRIT

HYRJE

Leja për posedim të armës së zjarrit, paraqet të drejtë dhe privilegj, por, edhe përgjegjësi të madhe. Është përgjegjësi e çdo poseduesi të armës së zjarrit, që të njoftohet me të gjitha dispozitat ligjore, rëndësinë e tyre, si dhe pasojat me të cilat mundë të përballet, si qytetar, në rast të shkeljes së këtyre dispozitave.
Legjislacioni për armë (Ligji dhe udhëzimet administrative), rregullojnë një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me armët: Blerja e armës së zjarrit; Mbajtja e armës së zjarrit; Ruajtja e armës se zjarrit; Prodhimi, riparimi, paaftësimi i armës së zjarrit; Shitja, transportimi dhe importimi i armëve të zjarrit; Posedimi i armës së zjarrit.

ARMËT E ZJARRIT

Sipas Ligjit për armë të Republikës se Kosovës, armë konsiderohet:
Secili mjet ose vegël e punuar me qëllim që nën presionin e gazrave, të cilat shkaktohen gjatë djegies së materialeve shpërthyese, elektricitetit, gazrave nën presion ose energjisë tjetër potenciale të hedhë predha në formë të plumbit, grumbullit prej saçmash, gazi, lëngu, shigjete ose përbërësish të tjerë, që është e përcaktuar ose është përdorur për të shkaktuar dëm trupor, dëm fizik, dëm psikologjik, dhe po ashtu çdo mjet tjetër qëllimi i të cilit është të bëjë sulm fizik ndaj integritetit fizik të njerëzve ose pronës.

KATEGORITË E ARMËVE

Para blerjes së armës së zjarrit, qytetari duhet të njoftohet me kategoritë e armëve të zjarrit të cilat janë të lejuara për posedim civil. Të gjitha armët, të cilat sipas Ligjit për armë gjenden në kategorinë A, janë të ndaluara për posedim civil. Kjo kategori përfshinë një vistër të armëve dhe municionit, por, në parim, mjafton të thuhet se përfshinë armët automatike, municionin me energji të lartë, armatimin ushtarak të kalibrit të lartë, armët me shurdhues, armët e kamufluara, mjetet plasëse, etj.
Armët që gjenden në kategorinë B, janë armë për të cilat kërkohet leje e veçantë nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe këto janë armët për të cilat vijuesit e kursit do të njoftohen në njësitë e tjera. Kjo kategori, përfshinë armët gjysmë-automatike, për një qitje, apo përsëritëse (pistoletat, revolverët), armët e gjata me tyta me vjaska (Karabina, M-48), armët e gjata me tytë pa vjaska (pushkët breshanë me pompim, me shul, me menteshë), të kalibrit më të vogël se 12,7 mm dhe të cilat nuk mundë të përdoren për largësi më të mëdha se 110 m, si dhe armët pneumatike me energji mbi 7,5 Joul dhe kalibër mbi 4,5mm etj.
Këto armë, mundë të përdoren për qëllime gjuetie, apo shenjëtarie (sporti). Armët të cilat përdoren për gjueti, duhet të kenë magazinën e cila nuk mundë të pranojë më tepër se 3 fishekë, si dhe, shënjestrën e fiksuar, për largësi të vogla. Gjithashtu, janë të ndaluara edhe shënjestrat optike për distanca më të largëta. Kategoria C, përfshinë armët, të cilat mundë të blihen në bazë të lejes së lëshuar me kushte lehtësuese.
– Kategoria C (armët e zjarrit që mundë te blihen në bazë të lejes së lëshuar me kushte lehtësuese): armët e gjata me tytë të pa-vjaskuara (që janë pushkët e ndryshme të gjuetisë) dhe armët e gjata me tyta të vjaskuara por që janë me një qitje.
– Kategoria D (armët e zjarrit që duhet të lajmërohen dhe për të cilat lëshohet leje): armët antike (d.m.th armët e vjetra dhe armët qe janë te certifikuara nga muzetë), armët me tojë (shigjetat e ndryshme) si dhe armët e ftohta (thikat, mjet e forta qe mundë te shkaktojnë dëme trupore kur barten në publik).

BLERJA E ARMËVE DHE MUNICIONIT

Armët, pjesët e armëve dhe municioni, mundë të blihen vetëm në bazë të pëlqimit të lëshuar nga organi kompetent, në përputhje me kategorizimin e armëve nga neni 4. i Ligjit për armë. Personi fizik, i cili është shtetas apo i huaj me vendqëndrim të përhershëm në Republikën e Kosovës, ose personi juridik me seli biznesi të regjistruar në regjistrin e biznesit të Republikës së Kosovës, mundë të kërkojnë pëlqim për blerjen e armës së zjarrit nga kategoria B dhe C, sipas Ligjit për armë. Pjesët kryesore të armëve dhe municionit për armët me tyta të vjaskuara, mundë të blihen në bazë të pëlqimit në përputhje me llojin e armës së zjarrit për të cilën është lëshuar leja.
Municioni për armët me tyta të pavjaskuara, mundë të blihet në bazë të lejes së lëshuar për këto armë. Nuk ka ndonjë kufizim për sasinë e municionit për armët me tytë të pavjaskuar, që mundë të blihet gjatë vitit. Armët e zjarrit mundë të blihen vetëm nga një person juridik (shitore) i licencuar për shitje të armëve, apo, nga një person fizik, i cili është pronar i armës të cilën e shet. Shitja e armës së zjarrit midis personave fizik bëhet me kontratë të vërtetuar e cila përmban: emrin, mbiemrin, datën e lindjes, numrin e amzës, numrin personal, numrin e letërnjoftimit ose pasaportës, vendbanimin dhe adresën e banimit të palëve në kontratë, llojin, markën dhe kalibrin e armës se zjarrit, të dhënat për prodhuesin, të dhënat që përfshihen në pëlqim, respektivisht pëlqimi, vendi dhe data e lidhjes së kontratës.
Ndërrimi i armëve të zjarrit konsiderohet si shitje dhe zbatohen procedurat e njëjta sikurse për shitjen e armëve. Personi fizik, i cili ka blerë apo ka ndërruar armë të zjarrit në pajtim me Ligjin për armë, është i detyruar që në afat prej tetë ditëve nga dita e lidhjes së kontratës për shitblerje, t’ia dorëzojë organit kompetent gëzhojat dhe predhat e shkrepura nga ajo armë, me qëllim të regjistrimit të shenjave të tyre. Ndalohet shitja/blerja e armëve, municionit dhe pjesëve për armë përmes internetit.
Personave fizik u jepet leja për blerje të armës së zjarrit vetëm për këto qëllime: 1. leje për mbajtjen e armës së zjarrit; 2. leje për armë koleksionuese; 3. leje për armë gjuetie ose shenjëtarie; dhe 4. leje për armë të kategorisë D.
Leja për mbajtjen e armës së zjarrit, u lëshohet punëtorëve të certifikuar dhe të kontraktuar tek personi juridik i licencuar në fushën e sigurisë të personave, sigurimin e parave dhe gjërave tjera me vlerë, që të mbajë armë zjarri të kategorisë B dhe C gjatë orarit të punës në vendin e punës. Personave fizik (qytetarëve), u lëshohen lejet e tjera. Leja për armë gjuetie, ose shenjëtarie, i lejon poseduesit që ta përdorë armën vetëm për qëllime sportive, apo gjuetie. Personave që posedojnë lejen e kësaj kategorie, nuk u lejohet që armën ta mbajnë me vete, në brez, apo në këllëf. Arma e cila është lejuar me leje për gjueti apo shenjëtari, duhet të transportohet me leje të veçantë, e cila lëshohet nga organi kompetent, përkatësisht nga stacioni policor, i vendbanimit.
Personi fizik mundë të blejë dhe të posedojë municion për armë me tytë me vjaska, më së shumti deri në dyqind (200) fishekë gjatë vitit kalendarik, dhe vetëm pesëdhjetë (50) fishekë me një kërkesë, përveç nëse dëshmohet se ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për blerje dhe posedim të sasive më të mëdha si për gjueti, shenjëtari ose në aktivitete të ngjashme.
Personi fizik ose personi juridik i regjistruar si shoqatë e gjuetisë, shenjëtarisë ose qendër për trajnim, mundë të posedojë deri në tre (3) kg barut të zi, me qëllim të rimbushjes së municionit për armët me tytë pa vjaska, për të cilën ata posedojnë leje.
PËLQIMI PËR BLERJEN E ARMËS SË ZJARRIT
Pëlqimi për blerjen e armës se zjarrit mundë t’i lëshohet personit fizik në bazë të kërkesës së paraqitur nga ai/ajo, nëse i plotëson kushtet si në vijim:
1. ka mbushur njëzetenjë (21) vjet;
2. posedon aftësi të plotë ligjore për veprim;
3. posedon aftësi fizike dhe psikike dhe është i aftë të posedojë apo mbajë armë zjarri;
4. nuk paraqet rrezik për rendin publik;
5. ka shkaqe të arsyeshme për blerjen e armës së zjarrit, sipas nenit 11. të ligjit;
6. kalon testin teorik dhe praktik i cili vërteton njohuritë teknike për përdorimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e duhur të armës së zjarrit dhe njohuri për dispozitat ligjore për armët;
7. është shtetas i Republikës së Kosovës ose i huaj, me qëndrim të përhershëm të lejuar në territorin e Republikës së Kosovës, përveç nëse me marrëveshje ndërkombëtare është përcaktuar ndryshe; dhe
8. paraqet dëshminë që personi nuk është nën hetime penale.
9. blerja e armës se zjarrit për gjueti do të përfshijë dëshminë që është anëtar i certifikuar i shoqatës së gjuetarëve.
Qendra për punë sociale lëshon dëshminë, me të cilën vërteton se aplikuesit me vendim gjyqësor nuk i është marrë ose kufizuar aftësia për të vepruar, kjo dëshmi nuk mund të jetë më e vjetër se tre (3) muaj. Gjithashtu, personi që aplikon për leje të armës, duhet të sjellë edhe dëshminë mjekësore, që vërteton aftësinë për posedim të armës së zjarrit, ky vërtetim mjekësor nuk mund të jetë më i vjetër se tre (3) muaj
Personit fizik mundë t’i lëshohet pëlqimi për blerjen e armës së zjarrit, pjesët e armës ose municionit vetëm për aktivitetet e gjuetisë, shenjëtarisë, ose për qëllime koleksioni.
Pëlqimi për blerjen e armëve të zjarrit dhe pjesëve të armëve të zjarrit dhe të municionit vlen gjashtë (6) muaj nga dita e lëshimit të pëlqimit.
Në rast të zhdukjes, humbjes apo të vjedhjes së armës, pjesëve të armës apo municionit, pronari, shfrytëzuesi apo personi juridik, duhet ta paraqesin rastin tek organi kompetent në afat prej njëzetekatër (24) orëve nga momenti kur ai/ajo e ka vërejtur zhdukjen.
Në rast të zhdukjes, humbjes apo vjedhjes të pëlqimit për blerje të armës së zjarrit, pjesët e armës së zjarrit dhe municion, apo lejes për armë, pronari apo personi juridik, duhet ta informojë organin kompetent ku është e regjistruar arma, apo në stacionin më të afërt policor. Pronari duhet të paraqes kërkesë për lëshimin e kopjeve të atyre dokumenteve tek organi kompetent i cili duhet t’i lëshojë këto kopje brenda tetë (8) ditëve.
Nëse personi fizik i cili posedon leje armë, ose personi juridik i cili posedon leje për posedimin e armës së zjarrit, e ndërron vendbanimin, vendqëndrimin ose selinë, personi fizik ose personi juridik, duhet ta prezantojë armën tek stacioni më i afërt policor në afat prej tridhjetë (30) ditëve në vendbanimin apo vendqëndrimin e ri.

POSEDIMI I ARMËS SË ZJARRIT

Çka është posedimi: Kur një person ushtron pushtet faktik mbi një send, e quajmë posedim.
Për dallim nga sendet tjera, kur bëhet fjalë për armët e zjarrit, atëherë lindin shumë kufizime për poseduesit, si p.sh: armën nuk kemi të drejtë ta shkatërrojmë, ta dhurojmë jashtë rregullave ligjore, t’i ndërrojmë vetit fizike, dhe nuk kemi te drejtë ta riparojmë përveç tek personi i autorizuar nga organi kompetent.
Armën e zjarrit kemi të drejt ta shesim, apo ta ndërrojmë, si dhe ta dhurojmë, gjithmonë duke respektuar Ligjin për armët.

PRODHIMI, RIPARIMI, PAAFTËSIMI I ARMËS SË ZJARRIT

Prodhimi: nënkupton çdo veprimtari e hulumtimit, studimit, zhvillimit, riprodhimit dhe e montimit të armëve, të pjesëve të armëve dhe të municionit, përveç veprimtarive të zbatuara nga pronari i armës se zjarrit të gjuetisë apo të asaj sportive, me qëllim të rimbushjes së municionit të armës për nevoja personale, e cila përdoret si armë e gjuetisë apo sportive. Sipas Ligjit për armë, te drejt për prodhim, të armëve, pjesëve të armëve dhe municionit, kanë vetëm personat juridik, të cilët posedojnë licencën përkatëse nga organi kompetent. D.m.th qytetarëve, nuk u lejohet prodhimi i armëve, apo pjesëve të armëve.
Riparimi: nënkupton eliminimin e defekteve apo mirëmbajtja e armës së zjarrit, si dhe zëvendësimi i pjesëve jofunksionale, të vjetruara apo atyre të prishura të armës së zjarrit me pjesë origjinale funksionale sipas nevojës dhe kërkesës. Sipas Ligjit për armë, riparimin e armëve të zjarrit mundë ta bëjnë vetëm personat juridik, me seli në territorin e RKS-së, të cilët janë të licencuar nga organi kompetent. Në praktikë, kjo do të thotë se në rast të prishjes, apo nevojës për servisim, apo mirëmbajtje, poseduesi i armës së zjarrit, duhet ta dërgojë atë tek armëtari i licencuar.
Paaftësimi: Paaftësimin/çaktivizimin e përhershëm të armës së zjarrit mundë ta bëjnë personat juridikë me seli në territorin e Republikës së Kosovës, të cilët kanë marrë licencë për prodhimin e armëve dhe municionit, ose për riparimin e armëve, dhe kanë marrë licencën për çaktivizim nga organi kompetent.

SHITJA, TRANSPORTIMI DHE IMPORTIMI I ARMËVE

Importimi: Sipas Ligjit për armë të RKS-së, është e drejtë ekskluzive e personave juridik, të licencuar për këtë qëllim nga Organi Kompetent.
Transporti: Personat të cilët kanë lejen për posedim të armës së zjarrit, mundë ta transportojnë armën nga vendbanimi i personit fizik në vendin për gjueti ose shenjëtari, ose në vendin për riparim dhe transport të armëve koleksionuese të lejuara, në vendin për riparim ose për ekspozitë. Në këto raste, arma duhet të transportohet me leje të veçantë, e cila lëshohet nga organi kompetent, përkatësisht nga stacioni policor, i vendbanimit.
Për këto qëllime, arma mundë të transportohet edhe përtej kufirit shtetëror. Këtë çështje e rregullon Neni 60. i Ligjit për armë: Shtetasi i Republikës së Kosovës ose i huaji me vendqëndrim të përhershëm, ose i huaji që kalon transit, mundë t’i bartë vetëm ato lloje të armës dhe municionit, të cilat në pajtim me dispozitat e këtij ligji mundë t’i blejnë, posedojnë ose mbajnë.
Shitja: nënkupton furnizimin me armë të zjarrit, me municion dhe me pjesë të armëve të zjarrit dhe të municionit me qëllim të shitjes, ndërmjetësimit, transaksionit dhe të mbajtjes në depo të armëve dhe të municionit. Shitjen e armëve të zjarrit sipas Ligjit për armë, mundë ta bëjnë vetëm personat juridik të licencuar nga organi kompetent.

PROVIMI PROFESIONAL

Testimi i njohurisë profesionale për përdorimin, mirëmbajtjen dhe njohurinë mbi dispozitat e ligjit për armë, bëhet përmes dhënies së provimit profesional, i përcaktuar nga organi kompetent.
Provimi profesional përbëhet nga pjesa teorike dhe praktike. Në pjesën teorike të provimit verifikohen njohuritë teorike për: 1. posedimin dhe ruajtjen e armëve te zjarrit dhe municionit; 2. përdorim të armëve të zjarrit; 3. ofrimin e ndihmës së parë; 4. njohuritë teorike për armët e zjarrit. Pjesa praktike e provimit përmban: 1. testin e njohurive praktike për përdorim të sigurt të armëve të zjarrit dhe municionit; dhe 2. qitjen në shenjë dhe vlerësimin e rezultateve.
Aftësimi praktik për mënyrën e përdorimit me armë zjarri të personave fizikë që kërkojnë pëlqim për blerjen e armës se zjarrit bëhet nga personi juridik i licencuar për këtë qëllim. Personi juridik i licencuar duhet t’i lëshojë certifikatën personit fizik pas përfundimit të suksesshëm të aftësimit praktik.

AFATI KOHOR PËR REGJISTRIM

Personit fizik ose juridik, të cilit i është lëshuar pëlqimi për blerjen e armës së zjarrit, duhet në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e blerjes së armës, të paraqes kërkesë te organi kompetent për regjistrimin e armës dhe lëshimin e lejes për posedim të armës për gjueti ose shenjëtari për personat fizik, ose leje për posedimin e armës se zjarrit për personat juridik.
Personi juridik i licencuar që merret me shitblerje të armëve, në afat prej pesë (5) ditëve nga shitblerja e armëve të zjarrit, duhet që organit kompetent t’i paraqes raport për shitblerjen dhe të prezantojë gëzhojat dhe plumbat e qitjes provuese.
Ky raport, duhet të përmbajë të dhëna për personin fizik ose juridik i cili e ka blerë armën, personin juridik i cili e ka shitur armën dhe të dhënat e sakta për armët e shitura. Së paku dy (2) gëzhoja dhe dy (2) plumba nga qitjet provuese dorëzohen me raport.

MARRJA, KONFISKIMI DHE SEKUESTRIMI I LEJES PËR ARMË

Leja e armës së zjarrit personit fizik i merret në rastet, kur:
1. skadon afati i lejes dhe kur e njëjta nuk është vazhduar; 2. është marrë vendim i formës së prerë për marrjen e lejes; 3. leja për qëndrim të përhershëm të të huajit në territorin e Republikës së Kosovës ka pushuar në pajtim me dispozitat e Ligjit për të huajt; apo 4. vdes poseduesi i lejes.
Organi kompetent ekzekuton vendimin për konfiskim e lejes, në bazë të vendimit gjyqësor, në rast se konstaton se personi: 1. e ka humbur aftësinë e plote ligjore të veprimit, sipas nenit 8 të Ligjit për armë; 2. e ka humbur aftësinë fizike dhe psikike të posedojë ose të mbajë armë në pajtim me nenin 9 të Ligjit për armë; 3. me aktgjykim të formës së prerë është dënuar për vepër penale ose kundërvajtje nga neni 10, paragrafi 1.1, 1.2, dhe 1.3 të Ligjit për armë; apo 4. ka cenuar detyrimet e përcaktuara me ligj.
Në rastin kur kundër poseduesit të lejes është ngritur procedure penale për vepër penale, ose procedura për kundërvajtje me elemente të dhunës, organi kompetent sekuestron lejen e armës, si dhe armën e zjarrit dhe municionin deri në marrjen e vendimit të plotfuqishëm. Organi kompetent sekuestron lejen, armën e zjarrit dhe municionin, nëse gjatë vazhdimit të vlefshmërisë së lejes, përcakton se arma e zjarrit është e amortizuar ose e dëmtuar në atë masë sa që me përdorimin e saj do të mundë të rrezikohej siguria publike ose arma e zjarrit nuk mundë të riparohet nga pronari për shkak të kushteve ekonomike.

KUJDESI DHE RUAJTJA E ARMËS SË ZJARRIT

Pronari ose shfrytëzuesi i armës është i detyruar që armën ta mirëmbajë në kushte adekuate, ta përdorë atë me kujdes dhe ta ruaj në mënyrë që të pamundësojë qasjen e personave të paautorizuar në të. Pronari ose shfrytëzuesi i armës së zjarrit nuk duhet t’i fshijë ose t’i ndryshojë shenjat identifikuese të gdhendura në armën e zjarrit nga ana e prodhuesit të armës ose shenjat e vëna në mënyrë plotësuese në armë nga ana e organeve të tjera shtetërore kompetente.
Pronari ose shfrytëzuesi i armës është i detyruar që armën ta mbajë në mënyrë që nuk do ta rrezikojë sigurinë personale dhe sigurinë e të tjerëve.
Pronari ose shfrytëzuesi i armës duhet që transportin e armës ta bëjë në atë mënyrë që arma e zjarrit, nëse është e mundur teknikisht, të jetë e çmontuar, respektivisht tyta të jetë e ndarë nga mekanizmi për mbyllje, e nëse kjo nuk është e mundur, së paku municioni të jetë i ndarë nga arma e zjarrit.
Ndalohet përdorimi i armës nga ana e pronarit ose e shfrytëzuesit të armës nën ndikimin e alkoolit, të drogave ose në kushte të tjera ku nuk mundë ta kuptojë rëndësinë e veprimeve të tij. Është e ndaluar që arma e gjahut apo sportive të përdoret jashtë vendit të gjuetisë ose poligonit civil të qitjes. Nëse pronari ose shfrytëzuesi i armës së gjuetisë transporton armën jashtë vendit të gjuetisë ose poligonit civil të qitjes, ai është i detyruar që armën e gjuetisë ta transportojë në këllëf adekuat, ndërsa municionin doemos duhet ndarë nga arma.
Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i armës koleksionuese jashtë objektit të banimit ose vendqëndrimit të koleksionuesit. Arma koleksionuese mundë të bartet jashtë vendqëndrimit apo vendbanimit, vetëm për qëllim të riparimit, të ekspozimit ose të shitjes së armës koleksionuese në bazë të lejes së veçantë nga organi kompetent.
Armën sportive, armën ajrore dhe armën me hark mundë ta përdorin edhe personat prej gjashtëmbëdhjetë (16) deri njëzetenjë (21) vjeç, vetëm në poligone civile të licencuara për qitje ose në hapësira të tjera, të sigurua dhe caktuara për gara në qitje sportive, vetëm nën mbikëqyrjen e personit të rritur të autorizuar.
Ndalohet ndryshimi i armëve nga një kategori në tjetrën, gjegjësisht shndërrimi i armës jo vdekjeprurëse në armë vdekjeprurëse.
Personat fizik të cilët posedojnë armë të zjarrit të lejuara, janë të detyruar që armën e zjarrit ta ruajnë në dollap të mbyllur, në kasafortë ose në lokal të veçantë, që është i siguruar teknikisht. Arma e zjarrit dhe municioni duhet të ruhen ndaras.

OBLIGIMI I PREZANTIMIT TË LEJES PËR MBAJTJE TË ARMËS SË ZJARRIT PARA PERSONIT TË AUTORIZUAR

Personi i cili me vete mban armë, duhet ta ketë me vete lejen për mbajtje të armës së zjarrit. Me kërkesë të personit të autorizuar zyrtar, personi duhet ta tregojë lejen dhe armën e zjarrit. Shtetasi i Republikës së Kosovës ose i huaji me vendqëndrim të përhershëm ose i huaji që kalon transit, mundë t’i bartë vetëm ato lloje të armës dhe municionit, të cilat në pajtim me dispozitat e këtij ligji mundë t’i blejnë, posedojnë ose mbajnë. Gjatë bartjes së armës dhe municionit, shtetasi i Republikës së Kosovës, ose i huaji e kanë për detyrë që zyrtarit policor në pikën kufitare, t’ia paraqesin armën dhe municionin dhe lejen e lëshuar nga zyrtari përgjegjës.
Nëse zyrtari i autorizuar në pikën kufitare gjatë kontrollit të mjetit transportues, gjen armë dhe municion, të cilin nuk e ka lajmëruar ose për armën dhe municionin nuk e ka paraqitur lejen/licencën, zyrtari i autorizuar duhet t’ia sekuestrojë armën dhe municionin, deri në përfundim të procedurës për kundërvajtje ose procedurës penale, me vendim të plotfuqishëm.
Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët kanë qëndrim të përhershëm në vende të jashtme dhe të huajt, kanë mundësi që për qëllime të gjuetisë të transportojnë armë gjahu dhe municion për atë armë në Republikën e Kosovës, nëse kanë leje për posedimin e armës së gjahut për gjueti dhe posedojnë sigurimin shëndetësor të lëshuar nga organi kompetent i shtetit tjetër dhe ftesën për pjesëmarrje në gjah, të aprovuar paraprakisht nga organi kompetent.

SHËNJIMI I ARMËVE DHE MUNICIONIT

Vetëm armët e zjarrit, municioni dhe pjesët e armëve të zjarrit të cilët janë në rregull të shenjëzuara mund të shiten. Sipas Ligjit për armë, Organi kompetent, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë do të nxjerrë akt nënligjor për shënjimin e armëve te zjarrit, pjesëve të armëve te zjarrit dhe municionit.

REFUZIMI PËR TË GJITHA LLOJET E LEJEVE PËR ARMË/ARMË ZJARRI

Organi kompetent refuzon kërkesën për lëshimin e lejes për armë zjarri të gjuetisë ose shenjtërisë, lejes për mbajtjen e armës së zjarrit, lejes për posedimin e armëve të zjarrit, lejes për armë koleksionuese, apo lejen e armëve të kategorisë D, nëse për armën/armën e zjarrit nuk mundë të dëshmohet prejardhja, nëse nuk është e vulosur në mënyrën e përcaktuar me ligj ose nëse në procedurën e regjistrimit konfirmohet ekzistimi i shkaqeve për refuzimin e kërkesës për regjistrimin e armës.

OBLIGIMET PËR ARMË DHE MUNICION

Obligimi për të siguruar armën: pronari ose shfrytëzuesi i armës është i detyruar që armën ta mbajë në mënyrë që nuk do ta rrezikojë sigurinë personale dhe sigurinë e të tjerëve.
Obligimi i prezantimit të lejes për mbajtje të armës së zjarrit para personit të autorizuar: me kërkesë të personit të autorizuar zyrtar, personi duhet ta tregojë lejen dhe armën e zjarrit.
Obligimi për ruajtjen e armës se zjarrit: personat fizik të cilët posedojnë armë të zjarrit të lejuara, janë të detyruar që armën e zjarrit ta ruajnë në dollap të mbyllur, në kasafortë ose në lokal të veçantë që është i siguruar teknikisht. Arma e zjarrit dhe municioni duhet të ruhen ndaras.
Shitja e armëve të zjarrit: arma e zjarrit mundë t’u shitet vetëm personave juridik dhe personave fizik që posedojnë pëlqim për furnizim me armë të zjarrit, të dhënë në pajtim me ligjin. Secili person që shet apo ndërron armën e tij, obligohet që në përpikëri të respektojë Ligjin për armë. Ndalohet blerja apo shitja e armëve përmes internetit.
Zhdukja, humbja apo vjedhja e armës: në rast të zhdukjes, humbjes apo të vjedhjes së armës, pjesëve të armës apo municionit, pronari, shfrytëzuesi ose personi juridik, duhet ta paraqesin rastin tek organi kompetent në afat prej 24 orëve nga momenti kur ai/ajo e ka vërejtur zhdukjen.
Armët apo municioni i gjetur: arma apo municioni i gjetur duhet të lajmërohet menjëherë në stacionin më të afërt policor.
Ndërrimi i vendbanimit: çdo kush që posedon armë, në rast të ndërrimit të vendbanimit duhet që të lajmërohet në stacionin policor më të afërt, në vendbanimin e ri, në afat prej 30 ditëve.
Trashëgimi i armës: sipas Ligjit për armë, lejohet trashëgimi i armës nga anëtarët e familjes, por gjithmonë duke respektuar procedurat.
Në rast të vdekjes së pronarit të armës, anëtarët e moshës madhore të familjes së tij ose persona të tjerë të moshës madhore që kanë jetuar me të, në të njëjtën familje, janë të detyruar që në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga vdekja e personit t’ua dorëzojnë armën dhe municionin organit kompetent ose stacionit policor më të afërt, për të cilën duhet të jepet dëshmi për dorëzim.
Ne rastet kur anëtarët madhor te familjes nuk e dinë vendin se ku gjendet arma, por janë të sigurt se i vdekuri ka poseduar armën, ata duhet ta informojnë organin kompetent.
BARTJA E ARMËVE, PJESËVE TË ARMËVE DHE MUNICIONIT
Ligji për armë, rregullon mënyrën e bartjes së armëve dhe pjesëve të armës, si dhe municionit, në mënyrën në vijim:
– Për çdo bartje të armës, pjesëve të armës, ose municionit, kërkohet leje nga organi kompetent;
– Gjatë kohës së bartjes së armës, ajo duhet të jetë e demontuar dhe e ndarë nga municioni;
– Gjithmonë duhet të respektohet itinerari i rrugëtimit, sipas lejes së lëshuar;

MBIKËQYRJA

1. Organi kompetent mbikëqyrë përmbushjen e kushteve të parapara për prodhim, riparim, tregtim, vendosjen, ruajtjen e armëve dhe municionit, përdorimin e poligoneve të qitjes, ligjshmërinë e posedimit dhe mbajtjes së armëve të zjarrit dhe municionit, si dhe mbajtjen e evidencave.
2. Personat e autorizuar fizik dhe juridik, janë të obliguar ta mundësojnë kryerjen e mbikëqyrjes, të kontrollit të armëve, ta vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës dhe t’i japin të dhënat dhe njoftimet e nevojshme.
DISPOZITAT NDËSHKUESE
Personat fizik dhe personat juridik, që veprojnë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armë, do të sanksionohen. Lidhur me përgjegjësinë penale, vlejnë dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.
VEPRAT PENALE ME ARMË
Sipas nenit 6. të Kodit Penal të Kosovës, “Vepër penale, është çdo vepër e kundërligjshme e cila me ligj është e caktuar si vepër penale, tiparet e së cilës janë të përcaktuara me ligj dhe për të cilën me ligj është përcaktuar sanksioni penal ose masa e trajtimit të detyrueshëm.”
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, si dhe Ligji për armë, parashohin një vistër të veprave penale, që mundë të ndodhin me përdorimin e armës së zjarrit, apo, me ndryshimin e vetive të armës së zjarrit: vrasjet, plagosjet, tentim vrasjet, kërcënimi me armë, grabitja, etj. si dhe të veprave penale, që mundë të kryhen duke i ndryshuar vetitë fizike të armëve: prodhimi ilegal; trafikimi ilegal i armëve; shkatërrimi i shenjave të armës; modifikimi dhe riaktivizimi i armëve të zjarrit dhe municionit.
Përpos atij (atyre) që drejtpërdrejt e kryejnë (neni 23 – bashkëkryerja), përgjegjës për veprën penale është edhe personi (apo personat), i cili e shtytë (neni 24) apo ndihmon (neni 25) tjetrin në kryerjen e veprës penale.
Kodi Penal, në pjesën e tij të përgjithshme parasheh dy rrethana kur përjashtohet kundërligjshmëria në rast se përmbushën kushtet e caktuara. Këto janë:
Mbrojtja e nevojshme (neni 8) dhe Nevoja ekstreme (neni 9).
Sipas këtyre dy neneve, edhe pse veprat e kryera posedojnë të gjitha tiparet ligjore të veprave penale, ato nuk do të konsiderohen si vepra të tilla, ngase janë kryer në rrethana në të cilat personi i ka mbrojtur të mirat juridike nga sulmi i kundërligjshëm apo nga rreziku të cilin nuk e ka shkaktuar ai personalisht.

MBROJTJA E NEVOJSHME

Mbrojtja e domosdoshme paraqet veprimet e domosdoshme të cilat i ndërmerr punëtori i sigurimit për të zmbrapsur prej vetës ose tjetrit sulmin real, të atëçastshëm dhe të kundërligjshëm.
Shembull: Mbrojtja e nevojshme do të ekzistoj në rastin kur personi A, e sulmon me thikë personin B, mirëpo personi B duke e mbrojtur jetën e vet, i shkakton lëndime apo e vret personin A. Siç shihet nga ky shembull, me rastin e mbrojtjes së nevojshme , realizohen të gjitha tiparet e veprës penale, mirëpo meqë vepra penale është kryer në rrethanat e mbrojtjes së nevojshme, konsiderohet se vepra penale nuk ekziston. Në këtë rast, si dhe në rastet e tilla, i sulmuari ka të drejtë ta zmbraps sulmin e kundërligjshëm.
Për tu konsideruar se ekziston mbrojtja e nevojshme, duhet të përmbushen dy kushtet themelore: Sulmi dhe mbrojtja.
Sipas kodit penal:
(1) Nuk është vepër penale vepra e cila është kryer në mbrojtje të nevojshme.
(2) Mbrojtja e nevojshme është mbrojtja e cila është e domosdoshme për të mbrapsur sulmin e kundërligjshëm, real dhe të atçastshëm ndaj vetes ose ndaj një personi tjetër me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me shkallën e rrezikut që paraqet sulmi.
(3) Disproporcioni ndërmjet sulmit dhe zmbrapsjes së sulmit konsiderohet tejkalim i kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
(4) Kryerësi i cili i tejkalon kufijtë e mbrojtjes së nevojshme mundë të dënohet më lehtë.
Nëse kryerësi tejkalon kufijtë për shkak të tronditjes së fortë apo frikës së shkaktuar nga sulmi, ai mundë të lirohet nga dënimi.

NEVOJA EKSTREME

Nevoja ekstreme është rrethanë apo shkak i dytë që përjashton kundërligjshmërinë e veprës penale, edhe pse vepra e kryer përmban të gjitha tiparet e veprës penale. Nevoja ekstreme, për nga natyra dhe efekti i saj juridiko – penal është shkak i përgjithshëm që përjashton kundërligjshmërinë, përkatësisht ekzistimin e veprës penale. Sipas përkufizimit ligjor, nevoja ekstreme ekziston kur vepra është kryer me qëllim që punëtori i sigurimit ta mënjanojë prej vetes apo tjetrit rrezikun e atëçastshëm të paprovokuar, i cili nuk ka mundur të mënjanohet në ndonjë mënyrë tjetër dhe kur e keqja e shkaktuar nuk është më e madhe se ajo e kanosur (neni 9).
Për ekzistimin e këtij institucioni duhet të shprehet rreziku dhe mënjanimi i rrezikut.
Rreziku – përkufizohet si situatë në të cilën, në bazë të rrethanave ekzistuese objektive, me arsye, supozohet se në çdo moment, aty për aty, mundë të dëmtohet e mira e personit fizik apo juridik.
Ndryshe nga mbrojtja e nevojshme, ku siç pamë, sulmi mundë të vijë vetëm prej njeriut, te nevoja ekstreme, rreziku mundë të jetë si rezultat i shkaqeve të ndryshme (vërshimet, zjarret, eksplodimet, shembja e dheut, prishja e mekanizmit frenues tek automobili, etj.).
Sipas Kodit Penal
(1) Nuk është vepër penale ajo vepër e cila është kryer në kushtet e nevojës ekstreme.
(2) Nevoja ekstreme ekziston nëse personi e kryen veprën për të zmbrapsur prej vetes ose tjetrit rrezikun e atçastshëm e të paprovokuar, i cili nuk mundë të evitohet në mënyrë tjetër, me kusht që e keqja e shkaktuar nuk është më e madhe se sa e keqja që është kanosur.
(3) Kur kryerësi e shkakton rrezikun nga pakujdesia apo i tejkalon kufijtë e nevojës ekstreme, dënohet më butë, e nëse tejkalimin e ka bërë në rrethana veçanërisht lehtësuese, ai edhe mundë të lirohet nga dënimi.
(4) Nuk ekziston nevoja ekstreme nëse kryerësi ka qenë i obliguar t’i ekspozohet rrezikut.

VEPRAT PENALE ME NDRYSHIMIN E VETIVE TË ARMËVE TË ZJARRIT

– Ashtu si edhe të gjitha sendet tjera, edhe armët e zjarrit i kanë specifikat fizike dhe identifikuese dhe atë secila në mënyrën e vetë.
– armët e zjarrit identifikohen më numrin serik të cilin e kanë të shënuar në me shumë se në një pjesë të tyre, gjithashtu secila pjesë e armës e sidomos pjesët kryesore të tyre i kanë specifikat e veta te cilat gjatë ndonjë ekspertize bëjnë të mundur dallimin e secilës armë nga tjetra.
Ndalohet prodhimi, trafikimi, modifikimi, si dhe riaktivizimi i armëve të zjarrit. Duke pasur parasysh këto, kuptojmë se të gjitha ndërhyrjet (përveç ndërhyrjeve të autorizuara dhe të raportuara tek organi kompetent) në numrin serik të armës, apo në ndonjë pjesë të saj, e sidomos në pjesët kryesore, është, trajtohet, gjykohet dhe dënohet si VEPËR PENALE, sipas ligjit te armeve dhe të Kodit Penal.

NDARJA E ARMËVE TË ZJARRIT

Ndarja kryesore dhe më e përgjithshme e armëve të zjarrit, është në varësi prej gjatësisë së tytës dhe gjatësisë së përgjithshme të armës.
Armët e gjata: kur tyta e armës është më e gjatë se 30 cm, apo, gjatësia e tërësishme e armës është më e madhe se 60 cm (pushkët vjaskore, pushkët breshanë, etj)

Armët e shkurta: kur gjatësia e përgjithshme e armës është më e vogël se 60 cm, si dhe tyta e armës është më e shkurtër se 30 cm

PJESËT E PUSHKËS

Pushka ka tytë të gjatë, dhe zakonisht, mbështetet për shpatulle gjatë qitjes. Secila nga këto armë përbëhet nga shumica, apo të gjitha pjesët në vijim.
1. Qyta
Mbanë mekanizmin e shkrepjes dhe tytën e armës. Është e ndërtuar nga druri, apo nga materiali sintetik. Varësisht nga prodhuesi, qyta mund të jetë e përbërë nga një apo dy pjesë.

2. Mekanizmi i shkrepjes dhe rimbushjes
Përbëhet nga një seri pjesësh, që mbushin armën, e shkrepin fishekun dhe nxjerrin gëzhojën nga arma.

3. Shënjestra
Është pajisje që ndihmon drejtimin e armës (marrjen në shenjë). Shënjestra mund të jetë metalike, optike, teleskopike, laserike, etj.

4. Tyta dhe gryka e tytës
Tyta është pjesa e armës në formë të gypit, përmes së cilës shkrepet municioni. Gryka e tytës është pjesa përfundimtare e tytës.
Varësisht nëse tyta e pushkës është e vjaskuar apo jo, pushka ndahet në:
1. Pushkë vjaskore
2. Pushkë saçmore

5. Këmbëza dhe mbrojtësi i këmbëzës
Kur shtypet, këmbëza çliron gjilpërën, e cila godet ndezësin e fishekut, e cila pastaj ndezë barotin. Shtytja e barotit, e dërgon predhën e fishekut nëpër tytë. Mbrojtësi, e mbron këmbëzën nga tërheqja aksidentale.

6. Magazina
Është pajisje për deponimin e fishekëve, apo patronëve të saçmës, që përdoren në shumicën e armëve të gjata. Pa magazina, pushka do të jetë i kufizuar në shkrepjen e vetëm një fisheku. Ekzistojnë dy lloje të magazinave: Kuti dhe Gypor. Magazina mund të jetë e “ngjitur” për pushkë, apo mund të jetë si pjesë e shkoqur e armës. Magazina e shkoqur (krehëri), mund të hiqet nga arma, kurse magazina e ngjitur, nuk mundet të hiqet nga arma.

MEKANIZMI I SHKREPJES DHE RIMBUSHJES

Meqenëse ka një mori të armëve në shitje, ju mund të keni shumë zgjidhje në dispozicion. Për të lehtësuar zgjedhjen tuaj, do të shqyrtojmë llojet më të rëndomta të pushkëve, si dhe mekanizmat përkatës të shkrepjes dhe rimbushjes.
Megjithatë, ju duhet të shikoni doracakun përdorimit të armës që keni blerë, për të parë sqarimet e detajuara për mënyrën e përdorimit të sigurt të saj.
Duhet dalluar mekanizmin e shkrepjes (që përbëhet nga këmbëza, çekani, gjilpëra, etj) nga mekanizmi i rimbushjes (që përbëhet nga pjesë të ndryshme, në varësi nga mekanizmi).

MEKANIZMI ME SHUL

Shuli është njëherësh pjesë edhe e mekanizmit të shkrepjes, edhe mekanizmit të rimbushjes. Sepse, përmban pjesë të cilat e nxjerrin gëzhojën dhe e fusin fishekun e ri në tytë, por, përmban edhe gjilpërën, e cila ka për detyrë të godas kapsollën inicuese dhe të shkrep fishekun.
Ky lloj i armës ka reputacion për saktësi të lartë. Ky lloj i mekanizmit të shkrepjes është më i forti. Vepron duke e tërhequr këmbëzën e shulit lart dhe pastaj prapa, për ta hapur mekanizmin e veprimit. Kur shuli shtyhet përpara, ai e tërheq një fishek të ri dhe e futë në folenë e fishekut. Pasi ta kesh shtyrë shulin përpara deri në fund, shtype këmbëzën e shulit poshtë për ta kyçur atë në vend. Kyçe armën me siguresë dhe tani je i gatshëm për gjueti. Pasi ke shkrepur fishekun, tërhiqe dorëzën e shulit lart dhe pastaj prapa, për të nxjerrë gëzhojën nga foleja e fishekut.
MEKANIZMI I RIMBUSHJES ME LEVË

Arma me mekanizëm me levë, zakonisht ka tytën më të shkurtër, është më e lehtë për bartje, dhe më lehtë rimbushet për qitjes e radhës. Ky lloj i armës është mjaftë i popullarizuar dhe është zgjedhje e mirë nëse do të gjahtoni nëpër shkurre të shpeshta (mos harroni të mbuloni mbrojtësin e këmbëzës, për ta mbrojtur këmbëzën). Shumica e mekanizmave me levë, kanë portën mbushëse, përmes së cilës, fishekët futen në magazinën gypore. Për ta tërhequr fishekun nga magazina, kape levën dhe tërhiqe atë poshtë dhe largoje nga vetja. Kujdesu që tyta të jetë në drejtim të sigurt. Pastaj, tërhiqe levën lart dhe afër vetes. Në këtë mënyrë, fisheku tërhiqet nga magazina dhe futet në folenë e fishekut, kurse mekanizmi i shkrepjes mbyllet. Pas mbushjes së armës, kyçe atë me siguresë, nëse ekziston. Përndryshe, vendose çekanin në pozitë gjysmë-të-ngrehur. Pasi ke shkrepur, tërhiqe levën poshtë dhe larg vetes, për ta nxjerr gëzhojën nga foleja e fishekut.

MEKANIZMI I RIMBUSHJES ME POMPIM, APO RRËSHQITJE

Ky mekanizëm i rimbushjes përdoret edhe në pushkët vjaskore edhe në ato saçmore. Mekanizmi i rimbushjes me pompim, i lejon gjahtarit që shpejtë të nxjerr gëzhojën dhe të fus fishekun e ri në tytë. Rëndom, fishekët futen nga ana e poshtme, në magazinën gypore. Mekanizmi i rimbushjes hapet kur parakrahu tërhiqet prapa. Kur parakrahu shtyhet përpara, municioni kalon nga magazina në folenë e fishekut dhe mbyllet mekanizmi i veprimit. Tani, arma është e mbushur dhe e gatshme për qitje. Shumica e armëve me mekanizëm të tillë, tek mbrojtësi i këmbëzës, kanë një levë, e cila liron mekanizmin e veprimit, dhe mundëson inspektimin e folesë së fishekut, apo, zbrazjen e armës.

MEKANIZMI GJYSMË-AUTOMATIK

Ky lloj i mekanizmit të rimbushjes, përdoret tek pushkët vjaskore edhe ato saçmore. Shumë gjahtarë, e pëlqejnë këtë tip të armëve, për shkak të sprapsjes më të vogël. Pas tërheqjes së këmbëzës dhe shkrepjes së fishekut, mekanizmi hapet në mënyrë automatike, gëzhoja e shpenzuar nxirret jashtë, fisheku i ri futet në folenë e fishekut dhe arma është e gatshme për shkrepje të re. Këto veprime përsëriten çdo herë që tërhiqet këmbëza. Pas shpenzimit të të gjithë municionit nga magazina dhe foleja e fishekut, mekanizmi i shkrepjes mbetet i hapur në mënyrë automatike.

MEKANIZMI I RIMBUSHJES ME THYERJE APO MENTESHË

Ky lloj i armës mund të jetë teke apo çifte (me një, apo me dy tyta) dhe është ideale për fillestarët, sepse, kufizon numrin e qitjeve. Shumica e armëve të këtij tipi, kanë dy tyta, të vendosura paralel, njëra pranë tjetrës, apo njëra ndër tjetrën. Për mbushje të armës, duhet të shtypet leva për çlirimin e mekanizmit të veprimit, dhe tytat lëshohet poshtë. Tani, foleja e fishekut do të ndahet nga qyta dhe mekanizmi i shkrepjes për të mundësuar futjen e municionit. Pasi të mbyllet mekanizmi dhe pasi të hiqet siguresa, arma është e gatshme për shkrepje. Pas qitjes, shtype levën çliruese për të hapur mekanizmin e veprimit, nxirri gëzhojat e shpenzuara apo patronat e saçmës. Ky lloj i mekanizmit të shkrepjes, mund të dizajnohet për t’u përshtatur me një vistër të gjerë të tytave të ndërrueshme për municion me ndezje qendrore apo anësore.

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Phone: 048 211 248
Fax: +383 48 211 248
Prishtinë Kosovë
Shaqir Ingrishta, Prishtina 10000